Policia italiane ka arrestuar mbrëmjen e së dielës dy shtetas shqiptarë në Vitulazio, në zonën e Kasatrës, pasi akuzohen për trafik droge. Mësohet se në pranga kanë rënë shqiptarët Reiz Datja 20 vjeç dhe Indrit Turshilla 21 vjeç, të cilët janë dërguar në paraburgim.

Gjatë një kontrolli të trafikut rrugor, i kryer në Vitulazio përgjatë rrugës shtetërore të Appia, policët ndaluan një makinë tip Opel Corsa. Brenda automjetit gjendeshin 4 persona.

Shoferi, në vend se të ndalonte, ka përshpejtuar shpejtësinë, duke u larguar. Pas kësaj, karabinierët kanë ndjekur makinën dhe kanë mundur të arrestojnë dy shqiptarë pranë një karburanti. Dy pasagjerë të automjetit u bllokuan, ndërsa 2 të tjerët kanë mundur të ikin me vrap nëpër fushat dhe fshatrat përreth.

Gjatë kontrollit në makinë, policia gjeti sende të vjedhura dhe drogë të llojit marijuanë. Të arrestuarit u dërguan në burg në Santa Maria Capua Vetere.