Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një lokal në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
E vetmja lëvizje e dyshimtë që policia ka parë në atë orë, është qarkullimi i një automjeti në momentin e shpërthimit, çka dyshohet se mund të jetë makina me të cilën janë larguar autorët.
Për ngjarjen pati një reagim edhe nga Policia e Tiranës: "Në pjesën e derës së një lokali, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale".
"Shërbimet e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit", thuhet në njoftimin paraprak të bluve të kryeqytetit.





