Dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të enjte në Poliçan për të protestuar kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës së re Territoriale.
Me pankarta në duar, protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj projektit, ndërsa në një prej tyre shkruhej: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”. Banorët kërkojnë që Poliçani të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Momenti më i spikatur i protestës ishte dorëheqja publike e kryetarit të Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari. Para qytetarëve ai deklaroi se prekja e Bashkisë së Poliçanit përbën “një padrejtësi dhe një turp të madh”, duke njoftuar largimin nga posti drejtues.
Pas këtij veprimi, disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, ndërsa në shenjë kundërshtimi hodhën në flakë edhe tekstin e propozimit për ndarjen e re territoriale.
Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.
Sipas draftit të Reformës Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit, në kuadër të planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Rezerva ndaj këtij propozimi ka shprehur edhe kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të përshpejtojë shpopullimin e qyteteve.
Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të mbetet bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.





