Arrestohet në hyrje për në Shqipëri një 40-vjeçar, i dënuar nga drejtësia italiane me 12 vjet burg, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas verifikimeve të imtësishme të bërë në sistem të të dhënave të 40-vjeçarit, i cili kishte ndërruar gjeneralitetet me qëllim shmangien e dënimit në Itali, kanë bërë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi në Itali të shtetasit shqiptar Domi Vuksani alias Nikel Vuksani, 40 vjeç, lindur në Shkodër.

Shtetasi Domi Vuksani ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në vitin 2014, pasi Gjykata e Firences/Itali e ka dënuar me 12 vjet burg për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”.