Në kuadër të nismës për dhurimin e gjakut për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë, kësaj iniciative vullnetare i është bashkuar këtë të enjte edhe ekipi i stacionit të Zjarrfikëses në Durrës, duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve të sëmurë me talasemi dhe njerëzve që kanë nevojë në shenjë solidarizmi qytetar.

Me iniciativë të drejtorit Adriatik Velaj, u ndërmor nisma humane për dhurimin e gjakut, proces i cili po kryhet në ambientet e drejtorisë së PMNZSH-së nga mëngjesi i ditës së sotme.

Koordinatorja e Kryqit të Kuqit për degën Durrës, në një prononcim për “DurrësLajm” nga drejtoria e Zjarrfikëses ku po mbikëqyr procesin, thekson rëndësinë e jashtëzakonshme që ka dhurimi i gjakut nga ofruesit vullnetarë, sidomos në këtë periudhë të vështirë të verës, që është edhe më e domosdoshme.

“Ne ofrojmë për gjatë gjithë vitit dhurues vullnetar për fëmijët talasemikë dhe për të aksidentuarit  rrugorë. Por sot është një fat jashtëzakonisht i mirë, që drejtori i Zjarrfikëses në Durrës, u ofrua pikërisht në këtë periudhë për të dhuruar gjak së bashku me stafin e tij. Është shumë e domosodoshme, në situata emergjente që janë të shumta në muajt korrik dhe gusht, për të plotësuar nevojat e fëmijeve talasemikë dhe për të plagosurit e aksidenteve rrugore”, tha Ermira Guza.