Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare organizoi në Durrës tryezën e rrumbullakët me temë “Monitorimi i zbatimit të reformës së ndihmës ekonomike për familjet në nevojë”, ku të ftuar ishin administratorë shoqërorë, përfaqësues nga bashkia, zyra e punës, shoqëria civile etj.
Takimi u hap nga drejtorja ekzekutive e QKShK-së, Liliana Dango, e cila bëri një prezantim të shkurtër të projektit dhe të organizatës. Avokatja Rita Strakosha prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e studimit me të njëjtin titull i realizuar në kuadër të projektit “Monitorimi dhe ndërgjegjësimi mbi zbatimin e reformës ekonomike”, i financuar nga Ambasada Amerikane. Studimi u bazua në sondazhin me 502 familje në nevojë, nga të cilat 51 familje janë banore në Durrës , si dhe në një analizë ligjore dhe financiare të sistemit të ndihmës ekonomike.
Ndër rekomandimet e prezantuara u përfshinë: rritja e shumës së ndihmës ekonomike për person, indeksimi i shumës së ndihmës ekonomike cdo vit, aprovimi i minimumit jetik me vendim qeverie, realizimi i anketave nga INSTAT mbi nivelin e varfërisë, përfshirja e gjendjes shëndetësore në formulën e pikëzimit, lehtësimi i punësimit të të rinjve të moshës 16-18 vjec duke pakësuar burokracitë e nevojshme për punësimin e tyre, mbajtjen e fëmijëve në shkolla me orare të zgjatura për prindërit që punojnë etj.
Meme Xhaferraj, drejtore e Drejtorisë së Shërbimit Social në bashki përmendi se Durrësi hyn ndër bashkitë me nivel të mirë ekonomik, ku ka shumë mundësi punësimi, prandaj dhe numri i përfituesve nga ndihma ekonomike është relativisht i vogël.
Përfaqësuesit e komunitetit Rom në takim, Ismail Jakupi dhe Emiliano Elmazi, vërejtën se komuniteti Rom ka shumë pak përfitues të ndihmës ekonomike për shkak të burokracive në aplikim. Një ndër shkresat e kërkuara është kontrata e qirasë e shtëpisë, por familjet shpesh nuk kanë mundësi ta sigurojnë sepse pronarët e shtëpive i shmangen pagimit të tatimit në burim. Ka familje shumë të varfra të cilat jetojnë në barraka dhe nuk marrin ndihmë ekonomike. Në lidhje me punësimin e anëtarëve të komunitetit Rom u theksua se ka nevojë për më shumë ndërgjegjësim në komunitet për përfshirjen e tyre në tregun formal të punës.
Astrit Hysaj, administrator shoqëror, përmendi se nuk është e qartë nëse afati 5-vjeçar i marrjes së ndihmës ekonomike llogaritet pas hyrjes në fuqi të ligjit apo ka efekt prapaveprues.
Ndër rekomandimet e hedhura në takim nga pjesëmarrësit përmendim: krijimin e një harte varfërie nga INSTAT, ku të identifikohet shpërndarja gjeografike e varfërisë; futja e familjeve që lypin në skemën e ndihmës ekonomike kryesisht nga vetë administratori shoqëror, lehtësimi i aplikimit të familjeve kujdestare për ndihmë ekonomike, lehtësimi i aplikimit për familjet që kanë një anëtar jashtë shtetit etj.





