Policia njoftoi këtë të hënë se kishte sekuestruar prona me vlerë rreth 1 milionë euro. Këto prona janë të një 40-vjeçareje nga Pogradeci, Almanda Durollari dhe bashkëjetuesit të saj italian, Francesco Cocilovo, 42 vjeç.
Pasuritë mbi të cilat është vendosur sekuestro preventive pas 7 muajsh hetime, dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i 40-vjeçares dhe bashkëjetuesit të saj italian, të cilët akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Pronat, kryesisht apartamente banimi, u sekuestruan me vendim të Gjykatës së Pogradecit, më 5 korrik 2019.
Almanda Durollari bashkëjeton me italianin Francesco Cocilovo dhe banojnë në Itali. Për të fshehur dhe justifikuar këto prona të blera në Shqipëri, i kanë regjistruar në emër të pensionistes Vergjinush Durollari, 76 vjeç nëna e 40-vjeçares, e cila banon në Pogradec.
Almanda dhe Francesco janë hetuar nga autoritetet gjyqësore italiane në Como, për akuzën e mashtrimit me TVSH, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false, duke përfituar në formën e rimbursimit nga ministria e Financave Italiane, një shumë prej mbi 2.388.611 Euro.





