Udhëtimi për mijëra pushues që kishin zgjedhur të pushonin në bregdetin e Vlorës këtë fundjavë ka përfunduar me lodhje e rraskapitje. Shkak është bërë trafiku kilometrik që në orët e para të mëngjesit.

Radha e gjatë e automjeteve niste që në dalje të Vlorës, por më e rënduar situata ishte në zonën e Ujit të Ftohtë në hyrje të tunelit dhe nga Radhima në Orikum.

Për shkak të rrugës së ngushtë me vetëm dy kalime dhe fluksit të lartë të pushuesve ka bërë që në rrugë të qarkullohet me vështirësi.

Policia rrugore është përpjekur të normalizojë qarkullimin e mjeteve, por duket se kjo ka qenë e pamundur.

E njëjta situatë është përsëritur edhe në orët e pasdites. Situata është përkeqësuar edhe për shkak të përplasjes së një autobusi me pasagjerë nga i cili nuk ka pasur të lënduar.

Trafik të rënduar këtë fundjavë raportohet se ka pasur edhe në Durrës, në rrugën drejt Gjirit të Lalëzit, në hyrje të Lezhës, si dhe në drejtim të Velipojës.