Të premten, drejtësia italiane ka dhënë dënimet për grupin e shqiptarëve, hetimet ndaj të cilëve nisën pas vrasjes së kushërinjve Lleshaj në vitin 2016.

I pari që është dënuar dhe i konsideruar si një “pronar i vërtetë” i drogës është Pllumb Delaj, i cili u burgos për tre vjet e tetë muaj burg dhe një gjobë prej 12 mijë eurosh.

Ndërkohë, me katër vjet dhe katër muaj burg është dënuar shqiptari tjetër Xhuliano Aliu, dy vjet e dhjetë muaj Kastriot Mehmeti dhe po kaq është burgosur edhe Leonard Kalaj.

Ilir Aliu, është dënuar me 4 vjet e 11 muaj burg, ndërsa Eraldo Buzia, me 4 vjet e dy muaj burg dhe në fund, Alfred Fufi është dënuar me dy vjet e nëntë muaj burg.

Dy pjesëtarë të tjerë të organizatës, do të dënohen më 18 korrik.

Heroina ishte në qendër të biznesit të tyre, por të pandehurit gjithashtu trajtuan kokainën dhe marijuanën. Hetimet filluan në nëntor 2016, pas vrasjes së kushërinjve Alban dhe Agron Lleshaj, në Canegrate, të cilët u vranë nga një bandë rivale për kontrollin e drogës në zonë.

Hetuesit identifikuan pesë “qeliza kriminale” të ndryshme të trafikantëve në zona të ndryshme të krahinës.