Gjykata e Tiranës ka kërkuar që familjarët e Azem Hajdarit të jenë prezent në procesin e rigjykimit ndaj Izet Haxhisë, njërit prej të dënuarve për atentatin ndaj ish-deputetit demokrat.
Seanca e mbajtur të premten në gjykatën penale të Tiranës është shtyrë për t'i dërguar ftesën e pjesëmarrjes bashkëshortes dhe fëmijëve të Azem Hajdarit. Pas vendimit për të shtyrë gjyqin, trupa vendosi që seanca e radhës të mbahet më 18 korrik.
Izet Haxhia ishte dënuar në mungesë, por pas arrestimit në Turqi dhe ekstradimit në Tiranë, kërkoi rivendosjen e çështjes në afat dhe rihapjen e çështjes.
Gjykatat shqiptare pranuan kërkesën e tij dhe prej muajsh kanë rinisur procesin gjyqësor për vrasjen e deputetit demokrat në shtator të vitit 1998.





