Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 2, pasi kishin marrë informacion në rrugë operative se një shtetas duke qarkulluar me automjetin e tij shpërndante kokainë në doza të vogla, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor  "Blloku".

Si rezultat i operacionit në rrugën “Brigada e 8”, nga punonjësit e policisë të Komisariatit të Policisë Nr.2, është ndaluar për për kontroll mjeti tip "Benz" me drejtues shtetasin R.M, dhe me  pasagjerë shtetasit A.M. dhe E.P.

Gjatë kontrollit në pjesën e brendshme të monitorit të kasetofonit policia gjeti dhe sekuestroi 43 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Po gjatë kontrollit fizik të  shtetasit E.P, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej 25500 franga zviceriane, 600 euro, 49500 lekë dhe 100 dollarë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti në posedim të shtetasit R. M. si dhe 6 telefona celular në posedim të shtetasve të lartpërmendur.

Në përfundim të veprimeve të kryera u arrestua  R. M., 22 vjeç, për veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. P., 32 vjeç, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Moskallëzim Krimi” dhe A. M., 32 vjeç, banues në Tiranë,  për veprën penale “Moskallëzim Krimi”.