Më 26 qershor 2019, në Drejtorinë e Përgjithshme Detare (DPD) mbërriti kontrata e nënshkruar me Bankën Boterore (BB) për financimin e projektit të VTMIS-it (inicialet anglisht për “Vessel Traffic Management Information System” – Sistemi i Informimit për Menaxhimin e Trafikut të Anijeve / Detar), njofton Paulin Ndreu, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë Detare me seli në Durrës.

Pas LRIT-it (inicialet anglisht për “Long-Range Identification and Tracking” – Gjurmimi dhe Identifikimi me Rreze të Gjatë Veprimi), VTMIS-i është projekti më i rëndësishëm për detarinë shqiptare. Kështu, më në fund, edhe Shqipëria do të jetë e barabartë me vendet e rajonit dhe ato të BE-së. 

Sipas Ndreut, “këtë projekt paraardhësit e mi [është fjala për Gazmir Tahirin, ish-drejtor i DPD-së] të partisë së tepsisë (LSI) e bllokuan dhe nuk i kërkonin financim BE-së dhe BB-së”. Kreu aktual i DPD-së aludon se Tahiri me shokë donin të bënin tender me fonde publike për të vjedhur.

Ndreu shkruan ndër të tjera, se studimi i fizibilitetit iu dërgua Bankës Botërore për financim. BB-ja pranoi me shpejtësi. Për një vit Shqipëria do të ketë implementuar VTMIS-in.

“Baltën dhe mllefin që na hedhin çdo ditë [Gazmir Tahiri dhe portalet e opozitës], ua kthejmë me punë e projekte”, e mbyll postimin e tij në FB drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu.

Th.M.