“Kullat e vrojtimit t’i bëjë shteti, siç i kanë bërë në të gjithë Europën. Për çfarë arsye po paguajmë plazhin privat, taksën që na është vendosur për tre muaj, në bazë të metrave katrorë? Për çfarë arsye po paguajmë ne taksat, që biznesit t’i kërkohet edhe ndërtimi i kullave të vrojtimit, edhe rojtarët e plazhit? Ku ta gjejmë rojen e licensuar për tre muaj?”

Me këto pyetje i janë drejtuar operatorët turistikë krerëve të pushtetit lokal në Durrës, të cilët para ankesave të tyre lexuan vetëm kërkesat e vendosura e të miratuara nga Këshilli i Ministrave, të pakonsultuara më parë me grupet e interesit. Prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto, tha se këtë vit do të operohet siç ka vendosur qeveria dhe vitin tjetër do të shtohen e të diskutohen propozimet e biznesit.

Edhe bashkia e Durrësit shprehu rezerva në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave. Lavdosh Beqiraj, shef i kabinetit në bashkinë Durrës deklaroi se bashkia ka shprehur rezerva në lidhje me kërkesat që u janë bërë biznesit, në rastin konkret, duke thënë se këto që u kërkohen operatorëve turistikë nuk u janë ofruar nga pushetit lokal. “Nëse nuk ka njerëz e unë nuk t’i ofroj për roje bregdetare, ku t’i gjejë biznesi? Ne si bashki do të bashkërendojmë punën me shoqatat e turizmit dhe këtë shoqatën që po përgatit vrojtues të licensuar, por biznesi s’ka ku t’i gjejë” tha Beqiraj.

Edhe kërkesa për ndërtimin e kullave të vrojtimit çdo 80 metra në breg të detit po nga operatorët turistikë ka bërë që në mbledhjen e turizmit ku të pranishëm ishin edhe operatorët që ushtrojnë këtë veprimtari të shkaktojë debat midis palëve, shtetit dhe biznesit.

Beqiraj mori përsipër që bashkia të ndërtojë kullat e vrojtimit përgjatë bregut të detit si dhe të sigurojë vrojtuesit e licensuar që do të paguhen si kosto shtesë nga ana e subjekteve të biznesit.

Bregdeti i Durrësit ka një vjë bregdetare prej 62 km dhe në pjesën më të madhe të tij, është shumë i cekët e shumë i favorshëm për pushuesit e të gjitha moshave. Mbytjet që janë shkaktuar çdo sezon veror më së shumti kanë ardhur si pasojë e atakut kardiak, sepse pushuesit nuk respektojnë oraret e pikut, por futen në ujë në oraret e drekës duke u ndjerë keq në ujë e duke humbur edhe jetën.

K.H.