Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, ka mbledhur njësinë Task-Forcën e turizmit në një takim të përbashkët me operatorët turistikë të zonës bregdetare me qëllim koordinimin e përbashkët të masave që duhet të merren për mbarëvajtjen e një sezoni sa më të mirë turistik, në drejtim të sigurisë, rendit e qetësisë publike.
Kryefjalë e takimit ishte plotësimi i një sërë kriteresh të përcaktuara me vendim të Ministrisë së Mjedisit nga ana e operatorëve turistikë për mirëfunksionimin e plazheve privatë, ndërtimin e kullave të vrojtimit, të sinjalistikës detare për motorët e ujit, për të shmangur mbytjet në det të pushuesve.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, prefekti bëri të ditur edhe plazhet e licensuar nga ana e qeverisë për ushtrimin e veprimtarive ujore dhe turistike, duke përjashtuar në mënyrë kategorike plazhet e Kallmit dhe të Porto-Romanos. Për të gjitha strukturat e shtetit, ushtrimi i veprimtarisë në këto zona është ilegal dhe do të përballen me ligjin.
Prefekti ju bëri të ditur operatorëve turistikë të plazheve privatë me detaje kërkesat që duhet të plotësojnë. Në kullat e vrojtimit duhet të jenë vrojtuesit që në çdo rast rreziku të japin ndihmën e parë që ju nevojitet pushuesve. Prefekti u ndal edhe tek kontrolli që duhet të ushtrojnë të gjithë strukturat vendore në plazhet private, ku u kërkua lirimi i rrugëve për autoambulancat dhe kontrolli i rreptë për hapësirat publike në plazhe.
“Vendbazimet e mjeteve lundruese, motorëve dhe mjeteve të tjera argëtuese duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara, në të kundërt ata nuk do të licensohen”,- tha prefekti Nasto.
K.H.





