Gjyqtari Luan Hasneziri ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të marrë në pyetje kryetarin e PD-së Lulzim Basha, për llogari të gjykatës belge për dosjen “Toyota Auris”.

Një lajm i tillë është konfirmuar nga burime konfidenciale për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta. Seanca ku u mor parasysh kërkesa e prokurorisë u zhvillua mesditën e sotme dhe vjen pak orë para se opozita të mbajë protestën e 9-të kombëtare.

Pas letër porosisë të mbërritur në mars të vitit 2019, të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë te Prokuroria Shqiptare, duket se gjithçka është gati që belgët të marrin në pyetje kryedemokratin Lulzim Basha. Detajet se si do të bëhet kjo marrje apo kohës se kur do të zhvillohet, mbeten sekret hetimor. Hetimet për “Toyota Auris” ku u sollën nga Belgjika 3.4 mln euro po kryhen edhe në Shqipëri. Për këtë procedim janë arrestuar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim kushërinjtë, Alfred dhe Vladimir Vladi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për kryetarin e PD, Lulzim Basha për dekonspirim të operacionit në Durrës ku u bllokuan 3.4 milionë euro. Burime pranë prokurorisë konfirmuan për Report Tv se pas padisë së kryetarit të grupit të PS, Taulant Balla, organi i akuzës ka nisur hetimet për liderin e PD për veprën penale të nxjerrjes së sekretit hetimor në rastin e operacionit të dy ‘Toyota’-ve të mbushura me 3.4 milionë euro.