"Duken si ato nderet e fundit të atyre që janë bërë gati të dorëzojnë karriken".
Kështu e ka cilësuar ish-deputeti Gazmend Oketa situatën e krijuar ditët e fundit në Kodër Vilë, ku banorët kundërshtojnë prerjen e pemëve dhe ndërtimin e 4 objekteve 5-katëshe në atë që dikur konsiderohej kurora e gjelbër e Durrësit.
"Durrësi është kthyer në fjetore dhe duke kufizuar në maksimum hapësirat që mund të rezervoheshin për fëmijët apo moshat e treta të kalonin ndryshe pasditet e tyre. Qyteti është zhvilluar në mënyrën më të keqe të mundshme",– thotë Oketa për "DurrësLajm".
Prej disa ditësh, banorët e zonës së Kodër Vilës janë duke protestuar kundër projektit dhe prerjes së pemëve. Një ditë më parë, shefi i Urbanistikës në bashkinë e Durrësit Adhurim Qehajaj tha se firma para se të merrte lejen plotësoi një sërë kriteresh e detyrimesh ligjore duke nisur nga studimi arkeologjik, mjedisor, sizmiologjik etj.
"Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin, është shprehur, bashkia nuk del përmbi vendimet e gjykatës e cila i mori në shqyrtim të gjitha pretendimet," tha Qehajaj, një ditë më parë.
Ndërkohë banorët thanë për Durrëslajm se ishin gati të futeshin edhe në grevë urie, nëse punimet e firmës do të vazhdonin. Sipas tyre, prerja e pemëve dhe ndërtimi i 4 objekteve 5-katëshe rrezikon seriozisht shtëpitë e tyre.
M.B.





