Ekipi drejtues i UK Durrës kryesuar nga administratori Spartak Kovaçi priti sot në një takim zyrtar ekipin drejtues të sektorit të ujit, AFD kryesuar nga Fabien Mainguyf dhe ekipin drejtues të AKUM kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Alqi Bllako për të diskutuar nga afër investimet potenciale në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në Bashkitë Durrës dhe Shijak.

Në këtë takim Spartak Kovaçi, Administratori UK Durrës theksoi: “Investimet e deritanishme në sektor kanë dhënë rezultatet tek qytetari dhe zhvillimi ekonomik dhe turistik i zonës. Por situata e infrastrukturës në ujësjellës dhe kanalizime është komplekse në disa segmente ende tejet e amortizuar dhe degraduar ndaj mbështetja me investime dhe asistencë nga AFD do të jetë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për shoqërinë tonë, por për 350.000 banorë që ne ju shërbejmë dhe nje numri më të madh turistësh e vizitorë ditorë në zonën tonë të shërbimit”.

Nga ana e tij, Alqi Bllako, Drejtor i Përgjithshëm i AKUM u shpreh: “Durrësi si ndër qytetet më të mëdha në vend dhe i pari në potencialin turistik dhe me portin më të madh në vend është prioritet strategjik i Agjencisë sonë për t’u mbështetur me investime jo vetëm nga AKUM por edhe dhe partnerët ndërkombëtar. Përpara kemi një mundësi të shkëlqyer që AFD – Agjencia Franceze për Zhvillim me ekspertizën dhe standardet e saj të lartë të investojë apo mbështesë me financime UK Durrës për t’ju shërbyer qytetarëve me cilësinë maksimale dhe ofruar në standarde evropiane shërbimet jetike të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve”.

Stafi UK Durrës prezantoi një panoramë të situatës që Bashkitë Durrës dhe Shijak kanë sot në këtë sektor dhe identifikuan projektet me nevojë për mbështetje me investime dhe asistencë teknike. AFD, Banka për Zhvillim e Qeverisë Franceze hyri për herë të pare në 2018, në Ballkanin Perëndimor. Shteti i parë që ka firmosur marrëveshje bilaterale mes dy qeverive është Shqipëria. Shqipëria ka një mundësi të shkëlqyer për investime dhe mbështetje në disa sektorë kyc sic është edhe ai i ujit nga Qeveria Franceze përmes AFD.