Studimet sizmiologjike e mjedisore, të bëra nga firma ndërtuese për zbatimin e projektit të lejes ndërtimore të 4 objekteve 5-katëshe në Kodër Vilë garantojnë zbatueshmërinë dhe zhvillimin e projektit në këtë zonë.
Me këtë deklaratë ka dalë Bashkia e Durrësit, pas protestës së banorëve të zonës së Kodër Vilës të cilët shprehen kundër projektit dhe prerjes së pemëve nga firma zbatuese.
Për Bashkinë e Durrësit, firma nëpërmjet dokumentacionit të paraqitur në bashki i ka bashkangjitur edhe një policë sigurimi prej 5 milionë eurosh.
Adhurim Qehajaj, shef i zyrës së urbanistikës në Durrës tha se firma para se të merrte lejen plotësoi një sërë kriteresh e detyrimesh ligjore duke nisur nga studimi arkeologjik, mjedisor, sizmiologjik etj. Pavarësisht se banorët e çuan çështjen në gjykatë, kjo e fundit i dha të drejtë firmës 8 muaj nga bllokimi i punimeve.
“Plani vendor i miratuar në 2013-n nga qeveria Berisha, i ka hapur rrugë ndërtimeve në Kodër Vilë”, tha Qehajaj.
Shefi i urbanistikës ka vënë në dispozicion studimet përkatëse të bëra në Kodër Vilë me të cilat kompania ndërtuese “Jedas shpk” ka marrë lejen e ndërtimi në bashkinë e Durrësit. Sipas Qehajajt në këtë zonë nuk ka problem me erozionin ashtu sikundër ndodh në pjesën veriore të Kodër Vilës.
“Në këtë zonë toka është shkëmbore dhe nuk ka rrezik erozioni. Pikërish pranë kantierit të ndërtimit janë ndërtuar kulla 13 katëshe dhe askush prej banorëve nuk ka patur objeksine, ndërsa tani që ndërtimet janë vetëm pesë katëshe banorët nuk janë dakord. Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin, është shprehur, bashkia nuk del përmbi vendimet e gjykatës e cila i mori në shqyrtim të gjitha pretendimet,” tha Qehajaj.
Ndjekim reagimin.
K.H.





