Më shumë se dy muaj pas super-grabitjes së 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit, policia, me vendim gjykate, konfiskon rreth 1,5 milionë euro pasuri në pronësi të Admir Murataj, organizatorit të grabitjes që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, dhe familjarëve të tij, konkretisht vëllait, Cen Murataj.
U sekuestruan vila e tyre tre katëshe e ndodhur në Prezë të Tiranës, toka në afërsi të Saukut, një garazh i blerë në vitin 2019, apartamente, njëri prej të cilëve në Sarandë i blerë 90 mijë euro, 9 makina luksoze, që në total vlera e pasurive të sekuestruara arrin rreth 1.5 milionë euro.
PASURITË E SEKUESTRUARA
Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Departamenti i Policisë Kriminale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, kanë bërë sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të cilat i përkisnin shtetasve A. M., Sh. M. dhe C. M., dhe konkretisht:
Vilë 3 – katëshe e ndodhur në Prezë, Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi 300 m² në emër të shtetasit A. M.
Tokë truall me sipërfaqe 600.3 m² e shtetasit A. M., ndodhur afër Saukut,
Garazh me sipërfaqe 23 m², në emër të shtetasit A. M., blerë në vitin 2016
Apartament me sipërfaqe 100.5 m², në emër të shtetasit A. M.
Tokë truall, në emër të shtetasit A. M.
Apartament banimi në Sarandë, i porositur në datë 05.07.2012 tek një shoqëri ndërtimi, kundrejt shumës 90 000 euro.
Apartament, me sipërfaqe 71 m², në emër të shtetases A. A.
9 automjete të llojeve të ndryshme relativisht të shtrenjta.
Vlera e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 1,5 milionë euro.
Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Po punohet për identifikimin e pasurive dhe aseteve të tjera që kanë këta shtetas, por që nuk i kanë të regjistruar në emër të tyre.





