Policia Rrugore e Qarkut Durrës është angazhuar maksimalisht në mbarëvajtjen e sezonit turistik. Nisur nga fluksi i madh i mjeteve që qarkullojnë në fundjavë në segmentin rrugor Maminas – Gjiri i Lalzit si dhe Plepa – Golem, Policia Rrugore me qëllim sigurimin e lëvizjes së lirë dhe pa probleme, këshillon drejtuesit e mjeteve si më poshtë:
– Të mos kryejnë parakalime të gabuara.
– Të respektojnë normat e shpejtësisë.
– Të ruajnë distancën e sigurisë së mjeteve në lëvizje.
– Të mos drejtojnë mjetin nën efektin e pijeve alkoolike.
POLICË CIVILË NË TERREN
Gjithashtu, policia bën me dije se në aksin rrugor Maminas – Gjiri i Lalzit është shtuar monitorimi i rrugëve jo vetëm nga punonjës më uniformë, por edhe punonjës policie civilë, të cilët do të angazhohen për monitorimin e rrugëve, orientimin dhe këshillimin e drejtuesve të mjeteve duke siguruar një aks rrugor sa më të sigurt për pushuesit.
Punonjësit e Policisë Rrugore do të ndëshkojnë ata drejtues që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe bëhen burim aksidenti.
Policia Rrugore e Qarkut Durrës këshillon çdo drejtues mjeti që të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
KUJDES NGA PARAKALIMET E GABUARA
Në punën dhe angazhimin e uniformave blu ka edhe një risi këtë vit, pasi kanë vendosur shërbime të policisë rrugore me kamera, të cilët do të filmojnë edhe regjistrojnë me video parakalimet e gabuara. Më pas do të vendosen masa administrative në mungesë, që sipas asaj që paralajmëron policia e Durrësit, do të jenë maksimale.
Do të ketë po ashtu edhe heqje të lejeve të drejtimit në mungesë për disa parakalime, dhe do të njoftohen për vendosjen e masës, nëpërmjet rrjeteve sociale “Facebook” te Policia e Durrësit.





