23 persona janë proceduar penalisht, ndër të cilët 7 janë arrestuar për protestën e organizuar nga dega e PD në Librazhd pasditen e së enjtes.
Të arrestuarit janë funksionarë të Partisë Demokratike; B.V. 48 vjeç kryetar i degës së PD Librazhd, A.B. 53 vjeç ish-deputet i PD, A.K. 43 vjeç, E.G. 32 vjeç sekretar i degës së PD në Librazhd, D.B. 47 vjeç, L.O. 31 vjeç dhe B.K. 54 vjeç. Ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar 16 persona të tjerë që morën pjesë në protestë.
Pasditen e së enjtes në orën 18:00, të proceduarit tentuan të bllokonin rrugën në hyrje të Librazhdit për të penguar eskortën e Kryeministrit Edi Rama, i cili po shkonte në fushatën elektorale të PS-së në këtë qytet. Policia thotë se protestuesit goditën eskortën me sende të forta dhe hodhën lëndë piroteknike.
Në lidhje me këtë situatë, Partia Demokratike njofton se Lulzim Basha do të dalë në një deklaratë urgjente për mediat në orën 10:30.





