Pas skandalit me listën e kandidatëve të Bindjes Demokratike për Këshillin Bashkiak Durrës, në të cilën thuajse gjysma e personave të pozicionuar në 15 vendet e para ishin me arsim të mesëm, një tjetër denoncim vjen këtë herë nga qytetarë të cilët e kanë gjetur veten të përfshirë në listë pa dijeninë e tyre.

Disa prej personave të përfshirë në listën e BD deklarojnë për DurrësLajm se nuk kanë dhënë të dhënat e tyre personale për t’u përfshirë në listë, madje disa ngrenë edhe pretendimin se firma në dokumentet e dorëzuara në KQZ nuk është e tyre.

Shtetasi Vinçens Elezi është njëri prej tyre. Ai deklaron për DurrësLajm se nuk është kontaktuar ndonjëherë nga persona pranë Bindjes Demokratike dhe ka mbetur i surprizuar kur miq të tij i kanë bërë të ditur se emri i tij ndodhej në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak.

Letrat e kopsitura në ngut e sipër nga Bindja Demokratike, parti e krijuar vetëm pas ditë para përfundimit të afatit për t’u regjistruar si parti dhe për të marrë pjesë në zgjedhje, kanë sjellë këtë situatë absurde, kur qytetarë të Durrësit kanë përfunduar në listën e dorëzuar në KQZ, pa pasur aspak dijeni dhe pa dhënë konsensusin e tyre. Në disa raste të dhënat personale u janë marrë nga persona të rrethit të tyre shoqëror, por pa u treguar se për çfarë do të përdoreshin. Madje në disa raste, pasi lista me emrat doli në media, atyre u është premtuar nga persona pranë kësaj partie, që të mos e mediatizojnë çështjen, sepse do t'u fshihet emri nga lista. 

Në një shkrim të 3 ditëve më parë, DurrësLajm denoncoi faktin se shumë nga CV-të e dorëzuar në KQZ dhe të bëra publike online në faqen e këtij institucioni ishin me mangësi të theksuara, pasi shumë prej tyre ishin të pa plotësuara, madje në disa mungonin edhe firmat e personave. Shkrimi i DurrësLajm nxiti reagimin e kandidates për kryetare bashkie, Valbona Sakollari, e cila kërkoi falje sepse nuk kishin futur në listë persona me elementë kriminalë dhe pasuri të dyshimtë!

Ndërkohë, përsa i përket listës së BD-së për Këshillin Bashkiak të Shijakut, skandali thellohet edhe më tej, pasi asnjë nga 22 emrat e përfshirë në listë nuk ka dorëzuar pranë KQZ-së CV-në personale. KQZ ka publikuar për kandidatët e BD në Shijak vetëm Formularin e Vetëdeklarimit dhe jo CV-të. Duket se KQZ ka punuar në këtë rast me dy standarte, pasi dy partitë e tjera që kanë paraqitur në këtë institucion, listat për kandidatë të Këshillit Bashkiak Shijak, Partia Socialiste dhe Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit i kanë dorëzuar ato konform ligjit, duke dorëzuar për secilin kandidat CV-në personale dhe Formularin e Vetëdeklarimit. Pa dashur të paragjykojmë asnjë nga emrat e kandidatëve të BD-së për Shijakut, mungesa e CV-së lë vend për aludime dhe njëkohësisht nxjerr në pah seriozitetin e partisë më të re për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të kërkuar nga institucionet shtetërore për regjistrimin konform ligjit.

M.B.