Më në fund rritja e temperaturave ka nxitur njerëzit të shkojnë në bregdet. Këto ditë të fundit plazhet e Durrësit janë mbipopulluar me pushues vendas dhe të huaj.

Ditët me shi tashmë janë lënë pas dhe Durrësi ka fituar gjallërinë e munguar, në këtë fillim sezoni. Rritja e menjëhershme e temperaturave solli një dyndje pushuesish në bregdet nga plazhi tradicional deri në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Të shumtë kanë qenë vendasit, por edhe turistët që frekuentuan bregdetin për fundjavë. Ata jo vetëm po shijojnë rrezet e diellit por edhe ujin e detit. Të kënaqur por duan më shumë pastërti në vijën bregdetare. Nisja e sezonit të vonuar për shkak të motit, është pritur me padurim edhe nga bizneset, të cilët kanë nisur përgatitjet.

Ditët në vijim plazhi i Durrësit pritet të përballet me një fluks më të lartë vizitorësh. Operatorët turistike njoftojnë për shumë të huaj që kanë planifikuar këtë bregdet për pushime.

K.H.