Tashmë kur fushata është thuajse në gjysmën e saj, qytetarët durrsakë janë në pritje të shpalosjes së programeve elektorale të kandidatëve të përfshirë në të.
Kandidatja e PS-së, Valbona Sako, gjatë gjithë kësaj periudhe është në takime të vazhdueshme me grupe interesi, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë në çdo cep të bashkisë Durrës, për t’u njohur nga afër me problematikat e tyre, të cilat do të marrin formë në programin e saj, duke ofruar zgjidhje afatshkurtër apo afatmesme për 4 vitet e ardhshme.
Nga takimet e zhvilluara deri më tani, Sako i ka idetë e qarta, se cilat janë pikat ku do të përqendrohet gjithë vëmendja e saj dhe e administratës së bashkisë, nëse pas 30 qershorit do të jetë ajo kryebashkiakja e parë femër e Durrësit.
Për DurrësLajm, ajo zbardh disa prej tyre, duke theksuar se këto pika të programit të saj elektoral kanë për qëllim të përmirësojnë ndjeshëm aksesueshmërinë në shërbimet që do të ofrojë bashkia e Durrësit, fuqizimin e rinisë dhe grave, krijimin e sa më shumë hapësirave të gjelbërta dhe sportive, vëmendje maksimale për zonat periferike dhe rurale etj.
Sipas Sakos, këto prioritete kyçe të programit të saj elektoral kanë dalë pikërisht si produkt i takimeve në çdo lagje dhe njësi të bashkisë Durrës.
Sako deklaron se rëndësi e veçantë do t’i kushtohet personave me aftësi të kufizuar, të cilët do të kenë akses të plotë në institucionet publike të qytetit.
Kandidatja që synon të bëhet kryebashkiakja e parë e Durrësit deklaron se gjithë fokusi i saj do të jenë qytetarët, të majtë, të djathtë apo pa bindje politike, pasi vetëm kështu do të mund të garantohet zhvillimi i qytetit dhe përmirësimi i cilësisë së jetesës së banorëve të tij.
“Të gjithë së bashku për një Durrës më të bukur e më të zhvilluar në të ardhmen”,– përfundon kandidatja Sako.





