Pas daljes së 6 përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild” që tregojnë lidhjen e pushtetit në Durrës me bandat kriminale, ka reaguar edhe Partia Demokratike e degës së Durrësit.
Në një komunikim për “DurrësLajm”, kreu i degës së PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferri, tha se sot është parashikuar mbajtja e një konference për shtyp në orën 18:00 nga selia blu e qytetit bregdetar.
Ndërsa në orën 19:30 Forumi Rinor i PD-së Durrës do të organizojë një protestë para bashkisë së qytetit.
Ditën e sotme, gazetari gjerman, Peter Tide, publikoi 6 audio-përgjime mes Astrit Avdylajt (lexo këtu), kreut të bandës kriminale të Shijakut me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako si dhe të zyrtarëve të tjerë të PS-së.
Në këto audio dalin përgjime për kryetarin e bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani, kandidati socialist për bashkinë e Shijakut, Elton Arbana, asokohe kryetar i PS-së, Ivo Doçi administratror i Ujësjellës Kanalizime Shijak, Arjan Ndraxhi, vëllai i deputetit Ilir Ndraxhi si edhe një votues në Shijak, të cilët bisedojnë me Astrit Avdylajn.
Ky i fundit shfaq një raport miqësor më të gjithë zyrtarët e Partisë Socialiste, të cilët i bind që Ilir Ndraxhi të jetë pjesë e listës së deputetëve të Shijakut, apo iu kërkon të heqin gjobat e vëna nga vetë socialistët. Përmes telefonit, Astrit Avdylaj i kërkon një qytetari të votojë Partinë Socialiste dhe në këmbim do të ketë edhe një “kafe”.





