Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka qenë në fshatin Flloq të Korçës, ku ka vizituar nga afër banorët e prekur nga tërmeti.
Xhaçka u shpreh se dhjetëra familje në këtë zonë janë në vështirësi. Ajo shtoi se MM po punon për të mbështetur mesa mundet banorët e prekur, me ushqime, ilaçe dhe strehim.
Xhaçka theksoi se Ministria e Mbrojtjes do të japë ndihmë edhe në rimëkëmbje të shtëpive. Ajo tha se do të dëmshpërblehet çdo banor i prekur nga tërmetet. Më tej, Olta Xhaçka nënvizoi se strukturat e vullnetarëve shtetërore i janë bashkuar MM-së në këtë aksion.
"Do ju ndihmojmë të rimëkëmbim çdo gjë që keni humbur. Këto janë ditë të vështira, por ne do bëjmë maksimumin. Në mënyrë sa më të shpejtë do përpiqemi t'ju dëmshpërblejmë. Të gjithë shtëpitë do të rregullohen. Bëni vetëm pak durim, sepse këto janë ditë të vështira", u shpreh Xhaçka.
Korça u trondit nga tërmetet e vazhdueshme. Si rrjedhojë u shkaktuan shumë pasoja në banesa, ndërsa janë plagosur edhe 5 persona. Banorët janë strehuar përkohësisht në qendra sociale ose spitale, kurse autoritetet kanë premtuar rikonstruksion të banesave.





