Mungesa e Berat Gjimshitit të listën e futbollistëve të grumbulluar nga Edi Reja për ndeshjet eliminatore të Euro 2020-ës ndaj Islandës dhe Moldavisë, u bëri habi shumë prej sportdashësve shqiptarë.

Qendërmbrojtësi i Kombëtares Shqiptare sapo mbylli një sezon të shkëlqyer në aspektin personal me skuadrën e Atalantës, por siç e shpjegoi Reja, nuk u vu në dispozicion të kuqezinjve pasi duhej t’i nënshtrohej një operacioni.

Gjimshiti vuante nga hernia dhe iu nënshtrua operacionit në një klinikë në Bergamo, ndërsa nëpërmjet një postimi në Instagram, ku ka hedhur një foto nga shtrati i spitalit, njofton se gjithçka shkoi mirë dhe se ka nisur puna për rikuperimin.