Tjetër skandal trukimi ndeshjesh në Spanjë. Sipas medieve nga vendi iberik, policia spanjolle ka arrestuar disa futbollistë në aktivitet por jo vetëm, në kuadër të një hetimi për një seri ndeshjesh të trukuara në sezonet 2016-2017 dhe 2017-2018.Burime të policisë bëjnë të ditur se mes të arrestuarve është edhe Raul Bravo, ish-futbollist i Realit të Madridit. 38-vjeçari konsiderohet si përgjegjësi kryesor i këtij grupi.
Gjithashtu është arrestuar edhe Borja Fernandez, edhe ai 38-vjeçar, i cili vetëm pak kohë më parë është tërhequr nga futbolli. Gjatë sezonit që sapo u mbyll është aktivizuar në 19 ndeshje me Valladolidin, skuadër që ka për president Ronaldo “Fenomenin”. Është ndaluar gjithashtu edhe Carlos Aranda, një tjetër ish-lojtar i formuar në akademinë e Realit, i cili ka luajtur në skuadra dhe kategori të ndryshme në Spanjë, duke ndërruar ekip thuajse çdo vit, para se të tërhiqej në 2017-ën.
Në qeli ka përfunduar edhe Samu Saiz, i formuar edhe ai në skuadrat zinxhir të Realit e që në këtë sezon ishte kthyer te Getafe, ku luajti 10 ndeshje në La Liga, i huazuar nga Leeds, si dhe Iñigo Lopez, 36 vjeç (e nisi karrierën tek Atletico e Madridit e që në këtë sezon ishte aktivizuar te skuadra e Extremaduras dhe Deportivo La Coruna.Policia gjatë kësaj të marte ka bastisur zyrat e Huescas, ku janë arrestuar presidenti Agustin Lasaosa dhe mjeku i klubit, Galindo Lanuza. Të ndaluarit janë të gjithë spanjollë dhe akuzohen për kurdisje ndeshjes, korrupsion dhe pastrim parash.





