Java e fundit e Serie A kurrë nuk ka qenë kaq e rivalizuar sa këtë sezon, teksa luftë ka në çdo front, përveç titullit, që është siguruar prej kohësh nga Juventusi.Enigma të mëdha për sa i përket Champions League si dhe mbijetesës. Pikërisht për këtë të fundit gjithçka duket në pikëpyetje me pesë ekipe që rrezikojnë, ku vetëm njëra do të shkojë në Serie B.Momentalisht vendin e 18-të e mban Xhenoa, që zbriti aty pas fitores së Empolit një ditë më parë ndaj Torinos.

Pikërisht Empoli ka bërë një mrekulli të vërtetë deri më tani, teksa ka marrë tre fitore në tre ndeshjet e fundit, duke përmbysur çdo llogari.Pengesa e fundit e Empolit është Interi, që lufton për një vend në Champions, në një sfidë që do të jetë e gjitha e luftuar. Një tjetër finale pritet të jetë ajo mes Fiorentinës dhe Xhenoas, me vjollcët që në mënyrë të pabesueshme rrezikojnë të zbresin në Serie B. Pra, mbijetesa kalon nga Toskana, Empoli dhe Fiorentina.