Teuta kërkon kthesën. Europa është vënë në rrezik, ndaj vetëm duke fituar mund të konsolidojnë pozitat në renditje. Lojtarët e kanë të qartë situatën, ndaj paralajmërojnë se do të udhëtojnë në Korçë vetëm për trepikëshin. Këtë gjë e thotë edhe Ditmar Bicaj, i cili rikthehet këtë fundjavë pas asaj mungese me Luftëtarin. Ai e pranon se ndeshjet me Skënderbeun janë shumë speciale për të personalisht, por hapur e thotë që në fund do të festojnë durrsakët.
Barazimi me Luftëtarin ju ka prishur ndjeshëm llogaritë. Çfarë nuk shkoi në atë ndeshje?
Teuta zhvilloi një ndeshje të mirë, por dhe kundërshtari na e bëri të vështirë. Ai u mbyll shumë në mbrojte. Nuk u rrezikuam në asnjë moment. Ajo që na penalizoi ishte se sulmuesit tanë nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Luajtëm mirë, por nuk futëm gjë në “xhep”. Tashmë, ajo ndeshje ka kaluar dhe ne do përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe më pas të bëjmë llogaritë.
Udhëtoni në Korçë këtë të diel, çfarë prisni nga kjo javë?
Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne, të cilën nuk duhet ta humbasim kurrsesi. Me një disfatë tjetër do të hedhim poshtë gjithë sezonin. E kemi përgatitur ndeshjen që të marrim tri pikët. Edhe Skënderbeu vjen i fortë psikologjikisht. Shpresoj të kemi edhe fatin me vete, pasi edhe kjo gjë duhet në futbollit.
Ju duhen pikët, por në të njëjtën kohë edhe Skënderbeu po lufton për Europë. Ky fakt e vështirëson më shumë këtë duel?
Çdo përballje është e vështirë, por si në çdo takim, ne do të hyjmë në fushë për të fituar, pavarësisht kundërshtarit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të shkuar në Europë. Kemi një grup të palodhur në të gjitha drejtimet dhe mendojmë vetëm për të realizuar objektivin tonë, asgjë tjetër.
Keni kaluar jo pak me Skënderbeun, si ndiheni përballë të shkuarës?
Çdo sfidë kundër korçarëve e konsideroj speciale. Kam kaluar shumë mirë në atë qytet. Kam shumë kujtime të bukura. Por tani unë jam pjesë e Teutës. Ne vijmë pas disa rezultateve jo pozitive në këtë takim, por jemi shumë më të konsoliduar dhe me një grup shumë më të fortë. Teuta ndaj çdo kundërshtari luan për fitore.
Objektivi mbetet Europa, por sa shanse ka Teuta që t’ia dalë?
Janë dhe 12 pikë në garë. Do të luftojmë deri në fund. Do të jenë të gjitha ndeshje të vështira dhe duhet të japim më të mirën. Jam i bindur që shanset i kemi për të arritur objektivin, pasi që në fillim të këtij sezoni kemi qenë gjithmonë në tri vendet e para. Besoj se në fund do të jemi në Europë, pasi ky ekip i ka të gjitha mundësitë.





