Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shtetëror të Tiranës në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Gjatë kësaj seance ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut, që u zhvillua në godinën “Liria” të Qytetit Studenti, Presidenti Meta nënvizoi sërish apelin e tij publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe institucioneve që të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë njerëzore në shenjë humanizmi e solidariteti.
“Jam shumë i kënaqur që rikthehem në Qytetin Studenti, me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut dhe 20-vjetorit të Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë. E rëndësishme është të angazhohemi si shoqëri dhe të inkurajojmë sa më shumë të rinjtë e të rejat të përfshihen në kauzën e dhurimit të gjakut. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim dhe do kërkojmë kontributin dhe angazhimin e kujtdo. Natyrisht i japim dhe prioritet dhe dhuruesve të rregullt, që në mënyrë të vazhdueshme ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë përmes dhurimit vullnetar, siç kanë bërë të gjithë vendet e tjera të zhvilluara. Besoj se gjatë këtij viti kemi bërë shumë seanca dhurimi në të gjithë vendin. Do të vazhdojmë akoma më tej. E rëndësishme është të angazhojmë sa më shumë të rinj sepse edhe cilësia e gjakut është shumë e rëndësishme. Thelbësore në këtë proces është edhe parandalimi i sëmundjes së talasemisë, që mund dhe duhet të minimizohet nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi efikase”, – theksoi Presidenti Meta.





