13 maji pritet të zhdukë të gjitha dilemat për emrin e kandidatit/es për kryetar bashkie në Durrës, të propozuar nga PS. Në këto 5 ditë të fundit, emrat që përfliten janë vetëm kandidate femra, nisur kjo nga dëshira e kryeministrit për të kandiduar një grua në Durrës.
Milva Ekonomi, Klodiana Spahiu, Rovena Voda dhe Ana Dhamo janë emrat që qarkullojnë në medie. Dy prej tyre kandidateve janë deputete, e treta është zv/ministre e brendshme dhe e fundit këshilltare bashkiake.
Tre të parat, nëse nuk kandidohen nuk humbin ndonjë gjë, sepse do të vazhdojnë të mbajnë postet e tyre. Por, nga ky proces, më e fituar mund të dalë këshilltarja bashkiake Ana Dhamo.
Nëse do të kandidojë njëra nga deputetet aktuale të qarkut të Durrësit Milva Ekonomi (e dyta në listë) apo Klodiana Spahiu (e teta në listë), ato duhet të heqin dorë më së pari nga mandati i deputetes.
Kandidimi i Ekonomit apo Spahiut nxjerr automatikisht të fituar Dhamon. Kujtojmë se këshilltarja aktuale në Këshillin Bashkiak, në vitin 2017 ishte e përfshirë në listën e kandidatëve të PS-së të qarkut të Durrësit. E pozicionuar e 12 në listë, Dhamos ndoshta nuk i ka shkuar asnjëherë në mendje se mund të bëhej deputete në këtë legjislaturë parlamentare.
Por nëse Ekonomi apo Spahiu dorëzojnë mandatin e deputetes për t’u përfshirë në garën për zgjedhjet vendore, mandati i secilës prej tyre do t’i shkojë Dhamos, si e vetmja femër e mbetur në listën e kandidatëve që nuk mundën të sigurojnë një mandati deputeti.
Dhamo nuk vjen në listë pas Klodiana Spahiut që është e fundit deputete në listën fituese të PS-së në qarkun e Durrësit, por në respekt të kuotës gjinore KQZ do t’ia ofrojë asaj mandatin.
E njëjta praktikë u zbatua kur Nora Malaj e LSI-së, e renditur e dyta në listën e qarkut të Durrësit dogji mandatin. Mandati i saj nuk kaloi automatikisht tek kandidati pasues, që ishte Flamur Gjuzi, por iu dha Edlira Hysenit, që ishte disa vende më poshtë.
Kështu që, edhe nëse nuk do jetë kandidatja zyrtare për bashkinë e Durrësit, Dhamo mund të jetë deputetja më e re e qarkut.
M.B.





