Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga data 13 maj, afati i fundit i lënë nga KQZ për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë, në Durrës situata është më konfuze se asnjëherë më parë.

Ndërkohë që përflitej se drejt garimit për kryebashkiak po shkonte i sigurt Spartak Kovaçi, me një lëvizje të papritur ai u përjashtua nga Rama, i cili duket se dëshiron që në krye të bashkisë së Durrësit të shohë një grua. DurrësLajm ishte i pari që publikoi ditën e shtunë lajmin për tërheqjen e kandidaturës së Kovaçit dhe përfshirjen në garë të dy deputeteve të qytetit bregdetar; Milva Ekonomi dhe Klodiana Spahiu.

Nga e shtuna deri më sot, dy emra të tjerë janë përfolur në media, kandidatja për deputete dhe këshilltarja bashkiake Ana Dhamo dhe zv/ministrja e brendshme Rovena Voda. Kujtojmë këtu se zv/ministrja Voda është përfshirë në listën e 100 këshilltarëve bashkiakë të PS-së për bashkinë e Tiranës, e vetmja njësi administrative që i ka bërë publikë jo vetëm emrin e kandidatit në garë, por edhe ato të këshilltarëve.

Me dëshirën e tij për të kandiduar një grua në Durrës, duket se Rama po kërkon të realizojë atë që nuk mundi ta bënte Lulzim Basha në qytetin bregdetar 4 vite më parë. Nëse do të kishte fituar, Grida Duma do të kishte qenë e para grua që drejtonte Durrësin. Me opozitën jashtë garës elektorale, dëshira e Ramës mund të jetë e lehtë për t’u përmbushur.

Disa prej këtyre emrave ishin përfolur rreth dy muaj më parë, kur nisën të kristalizoheshin kandidaturat e para që u hodhën për konsum në elektoratin e PS-së së Durrësit dhe mediat lokale dhe qendrore. Atëherë kur mendohej se ato ishin eleminuar, kryeministri Rama i riktheu sërish në lojë, megjithëse nuk dihet ende me siguri, nëse Rama nuk do t’i befasojë të gjithë me një emër të papërmendur më parë.  

Deri më 13 maj duket se socialistët durrsakë, por edhe qytetarët e Durrësit do të qëndrojnë në pritje të emrit të kandidatit të PS-së dhe u mbeten edhe 5 ditë kohë të hamendësojnë.

Ndërsa opozita shpreh vendosmërinë e saj për të mos hyrë në zgjedhje dhe për të bërë gjithçka që ky proces të mos bëhet, Rama dhe PS duken të vendosur të shkojnë drejt zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ku do të votohet për 61 bashki dhe këshillat bashkiakë respektivë.

M.B.