Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, foli pas barazimit në shtëpi ndaj Luftëtarit ku u shpreh:
Çfarë nuk funksionon në skuadër?
Sot mendoj që nuk funksionoi pjesa sulmuese. Kundërshtari na i bëri të vështirë me mënyrën si luajti. Për të zgjidhur situatat duhen cilësi. Sulmuesit duhet të bënim më mirë. Barazuam me një kundërshtar që u mbrojt shumë mirë dhe pati rast për të na ndëshkuar.
Ndëshkimi i Vajushit…
Kemi punuar gjatë gjithë javës për mënyrën se si do luanim me Vajushin. Nuk është gjë e mirë për skuadrën që në momentin e fundit të ndryshojë lojtarë. Sot ishte diçka më ndryshe, kishte më dëshirë. Por në fund, duhen pikët. Në këtë situatë që jemi. Për fat të keq nuk arritëm të merrnim 3 pikë.
Kur luani me 2 lojtarë në sulm, sa duhet të bënin më tepër lojtarët e krahut?
Është e vërtetë. Mendoj që të paktën edhe Progni edhe Hakaj e bënë mirë detyrën. Por këta lojtarët e krahut duan ndihmë të madhe në momentin që duhet të pasohen. Disa lojtarë akoma nuk e kanë mësuar që topi shkon më shpejt se lojtarët. Të 2 sulmuesit duke qenë bashkë duhet të bënin akoma më shumë. Në pak raste e bënë detyrën ashtu siç duhet.
Sa % i jepni vetes si skuadër për të shkuar në Europë?
Asnjëherë nuk e kishim menduar që ta kishim siguruar hyrjen në Europë 5 javë para. Kemi akoma ndeshje. Duhet të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin. Në qoftë se do kishim fituar do kishim bërë një hap pozitiv. Duke parë rezultatet, them se vazhdon të bëhet akoma më e vështirë.
Pse ndryshoi kaq shumë Teuta pas janarit?
Në qoftë se ka një përgjegjës ky jam unë. Lojtarët i kam afruar unë. Nuk ka xhelozi në skuadër. Është problem se nuk gjejmë ekuilibrat. Mendoj se ka ndikuar problemi psikologjik. Punojmë mirë, stërvitemi mirë, por në fushë nuk po bëjmë ata që bënim. Në futboll gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Ka pasur lojtarë me probleme, fati kundër, gabime individuale, etj. Për fat të mirë kemi dhe 4 ndeshje. Duhet të bëjmë maksimumin.





