Policia e Durrësit zbardh detaje nga aksidenti rrugor në lagjen nr.7, ku një motor i policisë rrugore u përplas me një automjet.

Sipas policisë, efektivët e rrugores ishin duke shkuar në një ngjarje të raportuar në lagjen nr.9, ku një person kishte mbetur i plagosur. DurrësLajm raportoi menjëherë pas përplasjes, se efektivë të policisë kishin mbetur të plagosur në një aksident rrugor.

“Më datë 30.04.2019, rreth orës 19:00, në lagjen Nr. 9, shtetasi I.P., 50 vjeç, i sëmurë me probleme mendore, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës shtetasin R.S., 53 vjeç , i cili u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit u nisën menjëherë për në vendngjarje. Gjatë rrugës një patrullë e Policisë që qarkullonte me motor është përplasur me një automjet që drejtohej nga shtetasi E.Sh., 45 vjeç”,– bën të ditur policia.

Punonjësit e Policisë të përfshirë në aksident janë transportuar në spital dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë drejtuesi i mjetit u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit bën të ditur njëkohësisht se është kapur dhe shoqëruar në komisariat autori i dyshuar i plagosjes me thikë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.