Në njoftimin e Ambasadës ruse në Londër kërcënimi është i hapur, por i paspecifikuar për çmimin e pashmangshëm që do të paguajë Britania për ndihmën që po i jep me teknologjinë më të fundit të dronëve që Londra i ka dhënë Kievit për të ndërmarrë sulme në thellësi të territorit rus, sulme që kanë rezultuar mjaft të efektshme.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka reaguar duke thënë se ne mbesim krah për krah Ukrainës dhe të angazhuar për t’i ofruar pajisje Ukrainës për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus. Ky nuk është kërcënimi i parë që vjen nga Moska ndaj Britanisë, që kur ka filluar konflikti në Ukrainë në 2022-shin, por ajo që do të bëjë një kërcënim i tillë nga Rusia, thjesht do të shtojë vendosmërinë dhe nevojën e Britanisë për të rritur buxhetin e saj për forcat e armatosura dhe shpenzimet ushtarake, qoftë edhe në kuadër të NATO-s.
Gjithçka filloi gjatë fundjavës, kur dronë të prodhuar nga Britania u përdorën nga Ukraina në goditjet e saj me rreze të gjatë veprimi. Sipas The Times të Londrës, kjo ka faktikisht gjashtë muaj që ndodh. Ukraina nuk përdori vetëm dronët me rreze të lartë veprimi, por edhe raketat kruiz me emrin Storm Shadow, me një efektshmëri mjaft të lartë. Por dronët në fjalë janë dronët e koduar Nyan, me motor të prodhuara nga sistemi britanik BAE, si dhe një dron tjetër i cili ende nuk është bërë publik. Objektivat e goditur me dronë britanikë përfshinë rafineritë ruse në afërsi të Moskës, në Jaroslav dhe Volgograd.
Dronët në formë avioni kanë krahë me gjatësi prej 29 metrash dhe nisen nga lëshues portativë, çka e bën të lehtë lëshimin e tyre nga toka dhe anijet dhe operojnë në ambiente ku sistemi dhe sinjali GPS është i zhurmuar nga pajisjet elektronike. Sipas sistemit prodhues britanik BAE, këta dronë përdoren për sulme në thellësi territoriale me ngarkesa armatimi të ndryshme ose si një mjet mashtrues që informon operuesit e tyre për vendndodhjen e armikut dhe sistemet ajrore armike.
Deri më tani, ukrainasit kanë goditur në mënyrë të përsëritur kompaninë e njohur si versionin rus të Amazonit, të quajtur Wildberries, ku shtatë nga dhjetë qendrat logjistike të kësaj kompanie ruse janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Mendohet se nga këto sulme Rusia ka pësuar një dëm ekonomik prej rreth 35 miliardë stërlinash.





