Rindërtohet qendra shëndetësore Velipojë plazh, duke siguruar standard të lartë shërbimi për banorët por edhe turistët e shumtë që frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit veror.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin në qendrën shëndetësore të Velipojës, e cila u rehabilitua në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore moderne.

“Prej më shumë se 6 vitesh kjo qendër nuk funksiononte, ndërsa sot ofron standardin më të lartë të shërbimit parësor”, tha Manastirliu. 

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se me investimet për rehabilitimin e 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave gjatë 2019-s, do të përparësohen pikat në zonat turistike. Manastirliu prezantoi edhe planin e masave të Ministrisë së Shëndetësisë për sezonin turistik.

“26 qendra shëndetësore do të jenë të hapura 24/7 për turistët gjatë këtij sezoni veror, me 60 mjekë dhe 80 infermierë personel shtesë, për të siguruar shërbim në kohë, afër vendpushimit të qytetarëve. Çdo qendër shëndetësore do të jetë e pajisur me barnat dhe materiale mjekësore të nevojshme për çdo emergjencë”, tha Manastirliu. 

Qendrat shëndetësore verore do të jenë të përforcuara edhe me shërbimin e urgjencës në territor, me rrjetin e autoambulancave të shpërndara në 17 postacione përgjatë vijës bregdetare dhe zonave me fluks të lartë turistësh.

“Falë investimit në 37 autoambulanca të reja që i janë shtuar flotës së urgjencës mjekësore, sigurojmë shërbim më të shpejtë dhe më cilësor për qytetarët dhe turistët gjatë këtij sezoni veror”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Plani i masave për sezonin veror përfshin edhe kontrollet e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor para dhe gjatë sezonit.