Mbrojtësi i Teutës, Ditmar Bicaj, shprehet se është i bindur për kualifikimin e ekipit të tij në Europë, dhe tregon edhe momentin interesant të dy kartonëve të verdhë që mori ndaj Kukësit.
ÇËSHTJA TITULL – Luajtëm 5 ndeshje për dy javë, që ishin për t’u harruar. Pushimi ishte oksigjen për ne. Deri në shkurt, Teuta flitej për kampion, ndërsa tani është vënë në diskutim Europa. Me këto 5 ndeshje që kanë mbetur tani, jam i bindur që kualifikohemi.
NDAJ KUKËSIT – Ndaj Kukësit ishte e rëndësishme që të mos pësonim. Me një humbje tjetër, do hidhnim poshtë gjithë sezonin. E kishim përgatitur ndeshjen që të merrnim pikë. Edhe Kukësi vinte nga një anë e mirë psikologjike. Ishim edhe me pak fat, se Rexhinaldo pati një rast në minutën e fundit.
PA PËSUAR – U gëzuam për këtë gjë, pasi po pësonim shumë gola. Ndonjëherë në futboll, edhe po të bësh një goditje, topi shkon në rrjetë. Mund të bënim diçka më mirë në sulm, por edhe 1 pikë me Kukësin, me një ofensivë të mirë, nuk është keq.
KARTONAT E VERDHË – Kartoni i parë ishte më shumë taktik. Kukësin e kemi analizuar, kur të marrin topin, bëhen shumë të rrezikshëm. Më pas, kartoni i dytë në minutat e fundit, duhej bërë. Në futboll duhet të bësh edhe pak hile, se po të luash drejt, të ikën kundërshtari dhe e pëson në fund. Ma bënë të gjithë hallall atë kartonin.
TEUTË NDRYSHE – Ndryshoi edhe skema, Kukësin e pritëm. Javës që vjen kemi një detyrë të vështirë me Luftëtarin në Durrës. Ndryshon muzika, edhe pse unë do jem lart në tribunë.





