Këngëtarja e njohur, Ledina Çelo prej vitesh jeton në Gjermani me familjen e saj dhe kjo ka bërë që ajo t'i mungojë skenës shqiptare.

Fundjavën që lam pas, Ledina ishte e ftuar në emisionin "Xing me Ermalin" ku ndër të tjera tregoi edhe si është njohur me bashkëshortin Naim Kabashin, ish-kampionin shqiptar të kickbox-it. 

"Me Naimin u takova rastësisht në Zvicër. Ai asokohe kishte fituar statusin kampion bote në kick-box dhe ishte i ftuar special për të parë koncertin e këngëtarëve nga Shqipëria. Ishte hera e parë që më pa dhe pasi mbaroi koncerti të gjithë artistët pimë kafe me të. Në fund më dha numrin e telefonit dhe më ftoi në ndeshjen e tij. Nuk doja t’i jepja numrin tim dhe i dhashë numrin e vëllait tim që ndodhej në Gjermani. Vëllai im e pëlqen shumë boksin dhe thashë ''t’ia ngec'' vëllait. Pas 2-3 muajsh më merr vëllai në telefon dhe më thotë ‘Ledina më ka marrë një djalë nga Kosova, dukej djalë shumë i mirë, i sjellshëm, më tha që ka një ndeshje’. Shko po deshe i thashë. U shkëputëm për 10 vjet, ai pa jetën e tij, unë pashë jetën time. Më pas ai u takua rastësisht me vëllain tim. Vëllai më telefonoi dhe më tregoi që kishte takuar Naimin dhe donte të fliste me mua. Më pëlqeu shumë, kishte po atë butësinë si dikur dhe filluam komunikimin. Pas 1 viti duke folur në telefon u takuam",- rrëfeu këngëtarja çka na bën të mendojmë se gjërat janë "të shkruara" dhe se fatin nuk e ndryshojmë dot!