Që Kilië Mbape është duke thyer të gjitha rekordet në futboll, nuk është risi. Lojtari ka arritur të fitojë dhe të shënojë shumë gola në moshën e tij, sa askush tjetër nuk ia ka dalë. Që nga koha kur nisi futbollin si profesionist dhe deri tani ai ka shënuar 96 gola (12 prej tyre me kombëtaren e Francës), një shifër thuajse e paarritshme edhe për sulmuesit më të mëdhenj.

I ka arritur këto shifra duke mbajtur veshur fanellën e Monakos, PSG-së dhe Francës. Sulmuesi i parisienëve është vetëm 20 vjeç, 4 muajsh dhe 5 ditë. Ekzaktësisht në këtë moshë, dy lojtarët më të mirë të botës si Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo ishin shumë larg këtyre statistikave.

“Pleshti” që lufton me Mbapenë për “Këpucën e Artë”, në atë kohë nisi të ishte i rëndësishëm për Barcelonën, por nuk ishte konsoliduar ende si ylli që është sot. Mesi kishte shënuar 30 gola, 4 prej tyre me kombëtaren e Argjentinës. Në rastin e Ronaldos, shifrat janë më inferiore jo vetëm se Mbape, por edhe se rivali i tij i përjetshëm.

Portugezi luante te Mançester Junajtid dhe kishte shënuar 27 gola, 9 prej të cilëve me kombëtaren e tij. Duke parë trajektoren e dy lojtarëve të mëdhenj, duket se Mbape do t’i thyejë të gjitha rekordet nëse vazhdon me këto ritme të frikshme. Për më tepër, ai ka fituar një Botëror. Asnjëri nga dy të mësipërmit nuk e ka bërë.