Abdullahi Nura nuk do të mund të luajë më futboll. Futbollisti 21-vjeçar në pronësi të Romës, karriera e të cilit është shoqëruar nga dëmtime të shumta dhe së fundmi edhe nga probleme kardiake, duhet të tërhiqet nga futbolli në një moshë fare të re. E ka të pamundur të marrë certifikatën e përshtatshmërisë sportive e tashmë po bisedon me drejtuesit verdhekuq për të prishur kontratën, që i skadon në vitin 2020.
Mbrojtësi nigerian, i cili u ble në vitin 2015 nga Spezia për 2.5 milionë euro, luajti i huazuar te Lavagnese dhe Perugia në formë huazimi, ku dhe iu shfaqën problemet me zemrën.
Roma, gjithsesi ka vendosur t’i qëndrojë pranë futbollistit në këtë moment të vështirë. Drejtuesit e skuadrës kryeqytetase po mendojnë t’i ofrojnë një mundësi për punësim të përhershëm në Trigoria, duke i gjetur një rol drejtuesi.





