Pas fitores në tavolinë me Kamzën, Teuta do të mendojë vetëm për ndeshjen e fundjavës në transfertë ndaj Kukësit. Gjatë kësaj jave do të vendoset edhe për rikthimin e Tomislav Bushiçit dhe Erlis Frashrit që kanë qenë të dëmtuar.Gjithsesi, skuadra e trajnerit Shkëmbi i ka alternativat për të korrur suksesin ndaj Kukësit dhe njëri nga këta është Sherif Kallaku, i cili ka gjetur shkëlqimin në Durrës. Teuta duket se ka gjetur lojtarin që i mungonte prej disa sezonesh, i ri me cilësi, klas dhe zgjuarsi. Për mesfushorin 20-vjeçar çelësi i suksesit nuk është vetëm puna, por edhe fakti që stërvitet nga profesionistë të vërtetë dhe në krah ka lojtarë me shumë përvojë.
Si e konsideroni këtë ecuri të javëve të fundit të Teutës?
Ekipi ka pasur një ngërç psikologjik. Teuta ka lojtarë shumë të mirë dhe që bëjnë diferencën, por edhe dëmtimet kanë qenë problem në këtë periudhë. Besoj se me Kukësin do të kthehet Teuta e dy fazave të para.
Si ndiheni te kjo skuadër me djem të rinj dhe lojtarë me eksperiencë?
Ndihem shumë mirë. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe me kualitet, si Osmani, Hidi etj. Kemi krijuar një grup të mirë dhe kam bindje se do të bëjmë edhe më mirë në të ardhmen.
Jeni në vendin e katërt dhe ndeshja e radhës është përballë Kukësit…
Çdo kundërshtar në kampionat është i fortë, jo vetëm Kukësi. Por kur beson tek aftësitë e tua dhe je i vendosur për të arritur diçka, punon shumë dhe e vlerëson kundërshtarin me seriozitet dhe lojën në grup, siç ne bëjmë, atëherë veç fitores nuk pritet rezultat tjetër. Këtë do të bëjmë me çdo kundërshtar në vijim.
Nëse do kishit një kontratë përpara dhe liri përzgjedhjeje, për cilin ekip do të firmosnit?
Në çdo rast do të zgjidhja Teutën dhe këtë e them me bindje të plotë. Këtu ndihemi si një familje, jam në shtëpi.
E mendoni veten në Kombëtaren e madhe?
Kombëtarja është ëndrra e çdo lojtari dhe e imja gjithashtu. Pse jo, edhe me ndihmën e Zotit. Të shohim në të ardhmen çfarë do të bëhet.





