Lionel Messi po zhvillon një sezon fantastik. “Ylli” argjentinas kryeson listën e golashënuesve më të mirë në La Liga, me 33 finalizime, 10 gola i ka shënuar në Champions dhe 2 në Kupën e Mbretit, pra në total, e ka gjetur 45 herë rrjetën me Barcelonën.Të njëjtën kuotë ka shënuar edhe sezonin e kaluar, por 31-vjeçari ka në dispozicion edhe 6 ndeshje në La Liga, të paktën 2-3 në Champions dhe 1 në Kupën e Mbretit.

Gjithsesi, vështirë të arrijë rekordin e tij absolut të 73 golave në sezon (2011-2012).Me dygolëshin e sigluar të martën ndaj Manchester United ai ka arritur shifrën e 597 finalizimeve në karrierë me ngjyrat “blaugrana”. I duhet vetëm një tregolësh për të kapur shifrën 600.Për të arritur 597 gola, Messi i ka shpërndarë si më poshtë: 416 në La Liga, 110 në Champions, 50 në Kuypën e Mbretit, 13 në Superkupën e Spanjës, 5 në Botërorin e Klubeve dhe 3 në Superkupën e Europës.

Shifra këto që me siguri nuk do të kalojnë pa u vënë re nga lojtari legjendar brazilian, Edson Arantes do Nascimiento, i njohur më mirë si Pelé, i cili ende mban rekordin absolut të golave në një klub të vetëm, 643 me Santosin.Messi vështirë “të humbë” çmimin e “Këpucës së Artë”, teksa kryeson me 6 gola më shumë se Mbappe. Të gjitha gjasat janë që të mos ketë rivalë për “Topit e Artë” të gjashtë në karrierë.