Kryeministri Edi Rama është shprehur në Parlament se do të merren masa të reja kundra shit-blerjes së votës.

“Ne kemi mundësi së bashku të adresojmë në kodin penal shumë shpejt disa masa të reja për integritetin votës, shitblerjen e votës. Ne do bëjmë propozimet tona, palët e tjera të bëjnë të tyret. Ne mund ta shtrëngojmë rrethin për ata që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm në fushatë”, tha Kryeministri.

Më tej, për fenomenin e shit-blerjes së votës Rama përmendi akuzat që ekzistojnë mes deputetëve në parlamentin italian.

“Shit-blerja e votës diskutohet sot edhe në Parlamentin italian. Ka në Itali deputetë të dënuar për bashkëpunim me mafian, edhe për vota të blera akuzohen, por ama nuk ka një njeri, një individ të çohet e të thotë që meqë forca filan dhe deputeti filan ka pranuar si dhuratë një numër të caktuar votash, zgjedhet në Itali janë të pavlefshme”, tha ai.