Presidenti, Ilir Meta, ka bërë përgjegjës mazhorancën dhe faktorin ndërkombëtar në vend lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
"Nuk mund të pranoj ndërkombëtarë të papërgjegjshëm, që mund të thotë se do të bëhet kështu, dhe do të bëhet ashtu! Si mund të flasin këta kështu?! Ku ndodh në një vend të Bashkimit Europian që të rrijë vendi qoftë edhe një minutë pa Gjykatë Kushtetuese?! Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa kushtetutë! Kjo duhet të jetë një gjë e qartë. Nuk mund të na marrin ne për një vend të kategorisë së dhjetë! As në vendin më të prapambetur afrikan nuk mund të thuhen këto gjëra, në qoftë se ne u japim mirëbesim, edhe u japim këtë rol, atëherë ata këtë rol duhet ta luajnë drejt".
Me vonesa të pajustifikueshme, u deshën plot dy vite për ngritjen e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë dhe prandaj jemi në këtë situatë që jemi me Gjykatën Kushtetuese, thotë Meta në emisionin "Përballë" me gazetarin Lutfi Dervishi.
"Pati interesa për të orientuar një proces drejt emrave dhe drejt kapjes së Gjykatës Kushtetuese apo Inspektorit të Përgjithshëm të Drejtësisë, sepse KED-ja zgjedh edhe Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë dhe jo drejt standardeve. Nëqoftëse kishte probleme, unë ua kisha thënë me kohë: ka probleme, i kemi kaluar afatet me Kushtetutë, hajde se i zgjidhim këto gjëra, i rivendosim proceset në afate! Por ne nuk mund të lemë vendin në këtë situatë, sepse kjo situatë është tepër e rrezikshme".
E ndërsa ndërkombëtarët thonë se reforma në drejtësi po jep sukses, po pastrohet sistemi, Meta thotë: Unë jam Presidenti i Shqipërisë, unë nuk jam President ambasadash. Këtë duhet ta keni të qartë dhe nuk fshihem pas ambasadave.





