E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones, gjatë një bashkëbisedimi me gra deputete për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, mes lotëve ndau një histori të cilën e quajti thellësisht personale.
“Dymbëdhjetë vite më parë, në këtë muaj humba nënën time për shkak të kancerit. Kështu që unë e di personalisht se kanceri i gjirit ndikon tek të gjithë ne, pavarësisht se kush jemi ose prej nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme. Lidhjet familjare? Të parëndësishme. Pasuria apo varfëria? Të parëndësishme. Kanceri i gjirit nuk njeh kufij dhe është i verbër ndaj privilegjeve. Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjet. Për pasojë, asnjë punëdhënës nuk duhet të ndëshkojë gratë që u duhet të luftojnë këtë sëmundje të tmerrshme”, tha Moses-Ones.
Drejtuesit e Shqipërisë duhet të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Kanë mundësi ta gjejnë gjuhën e përbashkët edhe në aspektet politike, siç është Reforma Zgjedhore, tha zonja Moses-One
“Shpresoj që kjo do të jetë një fushë e përbashkët, ku ju – drejtuesit politikë të Shqipërisë – të mund të vini së bashku dhe të bashkoheni për ta çuar vendin përpara. Së bashku…për një kauzë të përbashkët. Kur t’i lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni në të mirë të publikut do ta drejtoni këtë vend me frymëzim. Udhëheqës shqiptarë, që punojnë së bashku, për të dhënë një shembull të shkëlqyeshëm për qytetarët tuaj. Zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta edhe Reformë Zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye, në një bashkim përpjekjesh”, tha më tej Moses-Ones.
Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca e vuri theksin në nevojën e shtimit të kapaciteteve testuese për gratë. Ndërsa Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, u angazhua për mbrojtje dhe integrim të grave të prekura nga kjo sëmundje tumorale, përfshi më shumë masa parandaluese.





