Një zjarr katastrofik në katedralen e Notre Dame të Parisit ka lënë një komb që mban zi për shkatërrimin e epiqendrës kulturore dhe historike të tij, ndërsa policia franceze tani heton nëse zjarri është shkaktuar nga aksidenti.

Qindra zjarrfikës heroikë u ballafaquan me zjarrin gjatë natës, për të ndalur shkatërrimin e plotë të monumentit.

Ndërkohë, ekipet garuan për të rimarrë thesaret që mund të kishin mbetur nga kryevepra 850-vjeçare gotike, të cilat kanë rëndësi të madhe fetare dhe ndërkombëtare.

Zjarri, i cili shpërtheu pasi turmat e fundit të turistëve përfunduan vizitat në orën 7 pasdite (ajo lokale), u shpall përfundimisht ‘plotësisht nën kontroll’ gati nëntë orë më vonë.

Zyra e prokurorëve të Parisit tha se policia do të kryejë një hetim, duke treguar se autoritetet aktualisht po e trajtojnë flakën si një aksident tragjik dhe jo zjarrvënie apo terrorizëm. Shkaqet e zjarrit lidhen me faktin se ajo pjesë e katedrales ishte duke iu nënshtruar një rinovimi.

Duke folur nga katedralja nēn flakë, në orët e para të së martës, presidenti Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen tragjike, por evidentoi si shumë të rëndësishëm faktin që u shpëtua struktura e saj.

“Ne do ta rindërtojmë katedralen të gjithë së bashku dhe ajo padyshim do të mbetet një nga destinacionet kryesore të Parisit”, tha Macron duke njoftuar se shumë shpejt do të hapë një skemë ndërkombëtare të mbledhjes së fondeve, për t’i rikthyer kryeqytetit Notre Dame-n e famshme.

Ndërkohë, miliarderi francez François-Henry Pinault, pronar dhe CEO i Kering group, që përfshin linjat e famshme të modës, Gucci dhe Yves Saint Laurent, ka premtuar një donacion prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e Notre Dame de Paris.