“Është e kotë të rrinë në pushtet, është e kotë të qeverisin kur të gjithë të rinjtë po ikin nga Shqipëria”, kështu shprehet pak para nisjes për në protestë një i ri në Durrës.

Së bashku me një grup tjetër të rinjsh, dhe demokratë e mbështetës të opozitës që do të marrin pjesë në protestën e sotme, ai kërkon rrëzimin e qeverisë.

Për mikrofonin e “DurrësLajm”, i riu thotë se çdo reformë në çdo sektor që ka ndërmarrë qeveria Rama ka qenë një dështim.

Në Durrës, dega e Partisë Demokratike organizoi disa autobusë për nisjen e protestuesve drejt Tiranës. Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të lëvizin me mjetet e tyre, në dispozicion autobusët ishin te selia e PD-së, te Mauzoleumi i Dëshmorëve, në Kënetë, në Sukth dhe në Manzë.

Burime nga PD-ja e qytetit bregdetar, thanë për “DurrësLajm” se janë rreth 5000 persona nga Durrësi që do të marrin pjesë në protestën e sotme, pjesa më e madhe e të cilëve janë organizuar me mjete personale.