Teksa kreu i opozitës, Lulzim Basha u bëri thirrje shqiptarëve për t’iu bashkuar protestës të shtunën, ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz kërkoi që protesta të jetë paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe.
Opozita dhe mbështetësit e saj zhvillojnë këtë të shtunën protestën e tyre të 9-të, në serinë e protestave antiqeveritare, të nisura në mesin e shkurtit të kaluar. Protesta e së shtunës është e para që do të zhvillohet në mbrëmje dhe e treta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë.
Protestat e tjera janë zhvilluar në sheshin para Parlamentit. Por pavarësisht vendit dhe kohës kur protestat e opozitës janë zhvilluar, të gjitha synojnë largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.





