Një ish-pjesëtar i ushtrisë në Sllovaki ka pranuar vrasjen e Jan Kuciak, gazetar investigativ dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova, të dy 27-vjeçarë, më shkurt 2018.

Media sllovake e cituar nga “BBC” raporton se Miroslav Marcek dhe tre të tjerë, të gjithë të arrestuar janë akuzuar për vrasjet, të cilat shkaktuan protesta dhe ndryshime politike në Sllovaki.  Prokurorët kanë akuzuar biznesmenin sllovak, Marian Kocner, si porositës të vrasjes së Kuciak. 

Gazetari dhe e fejuara e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Velka Maca, një fshat rreth 65 km në lindje të kryeqytetit, Bratislavë. Kuciak po hetonte lidhjet e dyshuara mes biznesmenit sllovak, politikanëve dhe mafies famëkeqe italiane “Ndrangheta”. 

Zemërimi publik solli zgjedhjen e avokates anti-korrupsion Zuzana Caputova në zgjedhjet presidenciale të Sllovakisë. Tashmë që Miroslav Marcek pranoi vrasjen, policia ka rinisur kërkimet në lumë për armë dhe prova të tjera.